Kriza
Një komitet hetimor i senatit kritikon gjigantin teknologjik për fshehje të pasurisë
Gjiganti i teknologjisë “Apple” u akuzua se është “mes evazorëve më të mëdhenj të taksave të Amerikës” nga një komision i senatit. Komisioni tha se “Apple” ka përdorur “një rrjet kompleks kompanish të regjistruara në parajsa fiskale” për të shmangur pagesën e miliarda dollarëve në formën e taksave mbi të ardhurat.
Shefi i “Apple” do të dalë para komisionit këtë javë. Në një dëshmi të përgatitur paraprakisht, “Apple” tha se nuk ka përdorur hile fiskale. Komiteti tha se nuk ka të dhëna që të tregojnë se “Apple” ka bërë ndonjë veprim të paligjshëm. Gjiganti ka një mal me para të thata prej 145 miliardë dollarësh, por komiteti tha se 102 miliardë mbahet jashtë vendit në llogari bankare nëpër parajsa fiskale.
Kompania thotë se është një nga taksapaguesit më të mëdhenj në SHBA, pasi pagoi 6 miliardë dollarë në taksa mbi të ardhurat e korporatës në vitin fiskal 2012.
Nënkomiteti i Përhershëm për Hetimin e Senatit ka qenë duke ekzaminuar “metoda të përdorura nga korporatat multinacionale për të lëvizur fitimet jashtë vendit.”
Disa kompani të mëdha në SHBA janë vendosur nën akuza për refuzimin e tyre për të riatdhesuar fitimet e realizuara jashtë vendit, pasi nëse e bëjnë diçka të tillë, mund të përballen me një taksë maksimale prej 35 për qind. Taksa mbi korporatat në SHBA është një nga më të lartat në botë në masën 35 për qind. Gjithsesi, kompanitë zakonisht paguajnë shumë më pak se kaq, falë shumë rasteve të fitimeve që konsiderohen të zbritshme apo përjashtimeve me ligj.
Grali i Shenjtë
Në raportin e vet për “Apple”, kryetari i komitetit, Carl Levin, tha: “‘Apple’ nuk ishte e kënaqur me zhvendosjen e fitimeve në një parajsë fiskale me taksa të ulëta. Kjo kompani ëndërroi të gjejë Gralin e Shenjtë në shmangien e taksave. Ajo ka krijuar kompani në parajsa fiskale, ku mban miliarda dollarë, ndërsa pretendon se nuk ka rezidencë fiskale asgjëkundi.”
“Apple” është multinacionalja e fundit që u vu nën akuza për shmangie taksash. “Starbucks”, “Google”, “Amazon” dhe “Facebook” janë kritikuar gjithashtu për faktin se sa pak taksa paguajnë në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Ndonëse asnjë nga firmat nuk ka bërë asgjë ilegale, çështja është shumë emotive. Në një kohë kur familjet po përballen me vështirësi, sasia e taksave që paguhet nga korporatat është një çështje sensitive. Por raporti i Komitetit të Senatit për “Apple” është veçanërisht i ashpër. Një grup aktivistësh vlerëson se në SHBA 600 miliardë dollarë taksa nuk do të paguhen gjatë dekadës së ardhshme.
Një anëtar i komisionit, John McCain, tha: “Pretendimet e ‘Apple’ se është një nga taksapaguesit më të mëdhenj korporativ në SHBA, është i vërtetë, siç është edhe fakti që ‘Apple’ është një nga shmangësit më të mëdhenj të taksave”.