Ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat bëri një denoncim se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po kërcënohet me jetë, që të mos flasë sipas tij për aferën e inceneratorëve.
Berisha tha se Rama dhe Veliaj po tentojnë që t’i mbyllin gojën Ahmetajt, duke i kërcënuar fëmijët dhe familjarët e tij.
“Sot sytë dhe mendjet e shqiptarëve janë të drejtuara në hetimin vjedhjes së shekullit.
Duhet të shtoj këtu se afera e djegësave, e vlerësuar nga shqiptarët si vjedhja e shekullit, është njëkohësisht hetimi ose dështimi i shekullit. Pra, hetim i suksesshëm ose dështim i tmerrshëm i këtij hetimi.
Ndaj jam këtu sot për të denoncuar përpara shqiptarëve disa zhvillime me të cilat, kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe për të penguar hetimin. Së pari, u informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt.”, tha Berisha.