Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur zgjatjen me 3 muaj të hetimeve për ish-ministrin dhe ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Pas shtyrjes së hetimeve në qershor, është vendosur që të merret sërish kohë deri në nëntor, për të hetuar dosjen e tij. Kjo është hera e pestë që SPAK shtyn hetimet ndaj ish-zyrtarit, dhe tashmë si datë përfundimtare e hetimeve mbetet 23 nëntori. Ky vendim vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila në argumentin e saj pretendon se ende nuk kanë mbërritur përgjigjet për letër-porositë.
Në këto rrethana është marrë vendimi që të lihet më shumë kohë për të zhvilluar hetime edhe më shteruese, në pritje të këtyre materialeve, për të plotësuar edhe procedurën.
Ahmetaj po hetohet teksa është arratisur, lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në kuadër të dosjes së inceneratorëve. Të pandehura për këtë çështje, SPAK ka marrë edhe ish-bashkëshorten dhe bashkëjetuesen e Ahmetajt, të cilat akuzohen për pastrim parash, ndërsa javë më parë janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri.
Ahmetaj është i shpallur në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, pasi akuzohet për dosjen e inceneratorëve dhe shpërdorimit me detyrën. Gjithashtu ai është nën hetim edhe për dosjen “Buka”.