arben frroku48 orë para vendimit në Apel, i dyshuari për vrasjen e Lamajt udhëton drejt Malit të Zi, ku ndalohet dhe lihet i lirë


Dëshmitari – Gjykata pretendoi se Fatmir Vladi kishte shkuar katër minuta me vonesë në vendin e ngjarjes, ndërsa akuza nuk e kundërshton, ndërsa thekson se vetë Vladi ka thënë se ndodhej 15 metra larg dhe makina e autorëve i ka kaluar pikë plumbi para syve


Arben Frroku, i dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj në vitin 2013, është “arratisur” nga Shqipëria, vetëm 48 orë para vendimit të Gjykatës së Apelit. Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për vëllain e deputetit të Pukës, Mark Frroku, edhe ai i akuzuar për një vrasje në Belgjikë.


Nga burime të policisë mësohet se Frroku është ndaluar nga Policia e Malit të Zi, në kufi me Kroacinë për disa orë. Mësohet se Frroku është ndalur nga autoritetet kufitare, ku është mbajtur për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Mësohet se autoritetet e Malit të Zi kanë kërkuar informacion për të verifikuar nëse Frroku ishte apo jo në kërkim dhe pas marrjes së përgjigjes negative nga pala shqiptare, e kanë lënë atë të lirë për të udhëtuar për në Kroaci. Emri i Arben Frrokut figuronte ende në listën e personave në kërkim, pasi kjo listë nuk është përditësuar. Në një komunikim me mediat, avokati i Frrokut, Genc Gjokutaj, ka pohuar se çështja e ndalimit në Mal të Zi është verifikuar. Ai ka konfirmuar se klienti i tij nuk ndodhet në Shqipëri, por pa dhënë detaje të tjera.


Arben Frroku është shpallur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të 2013-s. Çështja po ndiqet nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, ku ditën e hënë, një ditë pas zgjedhjeve lokale, do të japë edhe vendimin përfundimtar. Prokuroria këmbëngul se ekzekutimi mafioz i kryekomisarit Dritan Lamaj është ideuar dhe organizuar nga Arben Frroku. Megjithëse Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm, akuza thotë se ka prova, të mbledhura në hetim dhe gjykim, që flasin se ky person kishte konflikt me Lamajn, ishte në vendngjarje, madje ka qëlluar edhe me armë zjarri. Në pretencën e organit të akuzës që u lexua para pak ditëve, analizohen edhe gabimet e Shkallës së Parë, e cila nuk mori të mirëqenë dëshminë e Fatmir Vladit, bashkëpunëtorit të drejtësisë apo edhe të bashkëshortes së tij. Prokuroria i parashtroi Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda se dëshmia e tyre duhet të pranohet pa asnjë hezitim, pasi ata kanë qenë dëshmitarë okularë, kanë parë Frrokun të qëllonte në drejtim të Lamajt dhe të largohej nga vendngjarja, për t’u arrestuar më pas në qytetin e Selanikut në Greqi. Pas leximit të pretencës nga prokurori, avokatët e Frrokut, Tonin Prendi dhe Genc Gjokutaj, i kërkuan trupit gjykues kohë për të bërë mbrojtjen. Mësohet se Kolegji e pranoi kërkesën e tyre, duke e shtyrë seancën në datën 22 qershor. Megjithatë, duke u nisur edhe nga gjykimi në Shkallë të Parë, Frroku nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen, ndërsa ka thënë se në momentin e ekzekutimit të Lamajt ishte rrugës për në Greqi. Ai fitoi pafajësinë më 8 prill të këtij viti, ndërsa prej më shumë se dy vitesh ai ishte i pandehur nga drejtësia për vrasjen e Dritan Lamajt më 24 shkurt të 2013-s.


 


Akuza


Vendimi i Shkallës së Parë me disa pasaktësi


Duke u ndalur te vendimi i pafajësisë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, prokuroria thotë se ai ka disa pasaktësi në dëshminë e Fatmir Vladit, që kanë të bëjnë pikërisht me vajtjen e tij në vendngjarje apo edhe me dhënien e targave të makinës së autorëve. Prokurorët mendojnë se diçka e tillë është bërë qëllimisht, për shkak se këto argumente kanë shërbyer për rrëzimin e dëshmisë së tij. “Në vendimin e zbardhur, dëshmia e Vladit është ndërprerë në disa raste. Gjykata ka përdorur vetëm ato fragmente që i interesonin dhe jo të tërën”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Katër provat që u analizuan në vendim, dhe më pas u rrëzuan të gjitha, ishin dëshmitari i mbrojtur, baruti në pallton e Frrokut, përgjimet dhe tabulatet telefonike.