Arlind Qori nuk do të jetë në Kuvend në shtator, edhe pse partia e tij “Lëvizja Bashkë” fitoi një mandat.

I ftuar në emisionin “Braking”, Qori deklaroi se mandatin do e marrë Redi Muçi, i cili ishte dhe emri i parë në listën e partisë. Ai tha se vendimi për t’u renditur i dyti ishte i tiji dhe nuk tërhiqet nga fjala e dhënë. Ai po ashtu u zotua se Redi Muçi do të jetë deputeti më i mirë i Kuvendit të ri.

“Ka qenë vendim i imi. Unë kam dashur të jap shembull në politikë. Duke mos qenë unë i pari kemi mundësi që publiku të njihet me potencialin e ‘Lëvizjes Bashkë’. Ne kemi përfaqësues shumë të aftë të partisë. Por, të them të drejtën ne prisnim të merrnim më shumë mandate. Ne kemi dashur t’u mësojmë shqiptarëve potencialin e aktivisitëve.

Mbajeni mend këtë që po them, Redi Muçi do të jetë deputeti më i mirë në parlamentin e ardhshëm. Na kanë pyetur shumë nëse në Kuvend do shkoja unë apo Redi Muçi. U duket e pabesueshme që unë të isha i dyti. Kjo sepse klima në Shqipëri është shumë egoiste. Është e pabesueshme që një kryetar si unë nuk do jetë në Kuvend. Ne e kemi marrë kolektivisht këtë vendim dhe nuk tërhiqemi nga fjala e dhënë. Askush nga ne nuk është si sharlatanët. E kemi këtë zgjedhje disa kohë para zgjedhjeve. I kemi marrë parasysh të gjitha rrethanave.”- tha Qori.