Lëvizja Bashkë këtë të premte gjatë një takimi në Sheshin Skënderbej ka zbuluar emrin e kandidatit të saj lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Kandidatura i është besuar kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlin Qori ashtu siç ndodhi edhe dy vite me parë në 2023-in.

Lëvizja Bashkë thekson se Qori është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës teksa  shtojnë se zgjedhjet në kryeqytet janë një mundësi për ta shndërruar qytetin. Kjo nuk është hera e parë që Qori kandidon për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës. Ai ka kandiduar edhe në vitin 2023 duke përfaqësuar Lëvizjen Bashkë.

“Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN. Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.

Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë.

Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës. Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë!” –shkruan Lëvizja Bashkë.