Një shqiptar është dënuar me 7 vite e 10 muaj burg në Nottingham, pasi policia britanike zbuloi armë dhe drogë me vlerë të konsiderueshme brenda apartamentit ku ai qëndronte ilegalisht.
Sipas mediave britanike, 41-vjeçari Ervis Doksani, baba i dy fëmijëve, ishte vendosur në apartament për të ruajtur arsenal armësh dhe rreth 10 kilogramë drogë. Gjatë kontrollit, policia gjeti një revolver në një dollap kuzhine, ndërsa tre pushkë, njëra prej tyre e mbushur, ishin fshehur në një qilim pranë një shtrati.
Autoritetet zbuluan gjithashtu municione dhe disa pako kanabisi të mbyllura në vakum. Sipas hetimeve, shqiptari kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht në pjesën e pasme të një kamioni dhe kishte qëndruar aty për rreth dy vite, megjithëse ishte deportuar dy herë më parë.
Gjatë seancës në Gjykata e Kurorës së Nottinghamit, gjyqtari Mark Watson e cilësoi Doksanin si “kriminel karriere”, duke deklaruar se ai ishte pjesë e një niveli të lartë të krimit të organizuar.
Sipas prokurorisë, apartamenti përdorej si magazinë për armë dhe drogë, ndërsa shqiptari kishte rolin e kujdestarit të tyre. Në dëshminë e tij, Doksani pretendoi se kishte një borxh prej 32 mijë eurosh dhe ishte detyruar të punonte ilegalisht për ta shlyer, ndërsa tha se disa prej armëve i kishte menduar si imitime apo armë ajrore.
Prokurorja Esther Harrison deklaroi se i pandehuri kishte punuar më herët në ndërtim, por humbi punën pas kontrolleve mbi statusin e tij ligjor dhe më pas mbeti i pastrehë.
