Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara kundër armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të armëve me qëllim shitjen.

Operacionet e koduara “Shenja” dhe “Kodra” çuan në sekuestrimin e tre armëve të zjarrit dhe qindra fishekëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Në operacionin “Shenja”, të zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u ndalua një automjet në Rrugën e Dibrës. Si rezultat u arrestuan shtetasit Shendi Sata, 31 vjeç, dhe Shemsi Shaljani, 43 vjeç.

Sipas policisë, gjatë kontrollit 31-vjeçarit iu gjet një pistoletë me municion, ndërsa nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të cilën dyshohet se e kishte shkelur.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Kodra”, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan 69-vjeçarin Fatbardh Hyka në banesën e tij në fshatin Kodër Kashar.

Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan një pistoletë me municion, një armë gjahu dhe 112 fishekë. Sipas hetimeve paraprake, armët dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rasteve dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit janë të përfshirë edhe në veprimtari të tjera kriminale.