Një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës ka çuar në zbardhjen e një baze të fshehur, ku ishin të depozituara armë dhe pajisje të tjera të kundërligjshme, të dyshuara si pjesë e një trafiku të paligjshëm armësh. Si rezultat i këtij aksioni, është arrestuar shtetasi Eugert Sino, 34 vjeç, i cili dyshohet se ishte personi që mbante dhe menaxhonte këtë arsenal të rrezikshëm.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh, përfshirë 23 armë zjarri, prej të cilave 5 ishin me snajper, një silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë, pajisje për shpërthime në distancë dhe paisje për bllokimin e valëve. Po ashtu, janë gjetur uniforma të ngjashme me ato të Policisë dhe sende të tjera që ishin të paligjshme dhe të destinuara për përdorim të jashtëligjshëm.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.