Thika dhe kaçavida të improvizuara, gërshërë, pirun, pajisje elektronike dhe deri në çakmakë dhe kabuj të shkrirë të kthyer në armë të ftohta.

Kjo është “menuja” e sekuestrimeve pas kontrollit të befasishëm në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit ditën e sotme. Policia e Burgjeve, e ndihmuar edhe nga sektorë të tjerë, ushtroi kontrolle në të gjitha ambientet e jashtme dhe të brendshme, nga biblioteka e palestra, deri te kuzhina, qelitë dhe regjimi 41 bis. U zbuluan dhjetëra armë të ftohta të improvizuara dhe pajisje elektronike për të mundësuar komunikime të mundshme apo për t’i kthyer në armë.

Gjatë operacionit janë përdorur mjete të teknologjisë së avancuar, përfshirë detektorë specialë, skanerë, dronë monitorimi dhe qen të trajnuar anti-drogë, çka ka rritur ndjeshëm efikasitetin e kontrollit dhe identifikimin e shkeljeve.

Bilanci i aksionit ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të rregullave të sigurisë. Janë konstatuar dhe sekuestruar sende të ndaluara, mes tyre mjete prerëse të improvizuara, kabuj dhe materiale të tjera të palejuara, si dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin elektrik përmes qarqeve të modifikuara.

Në një rast është evidentuar edhe një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur menjëherë procedurat ligjore. Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet kanë ndërmarrë edhe masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë, duke realizuar transferimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë për rendin dhe sigurinë brenda institucionit.

Operacioni është drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, duke angazhuar një numër të madh forcash operacionale dhe speciale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe forcat e sigurisë nga një sërë institucionesh penitenciare në vend, përfshirë Fierin, Vlorën, Korçën, Beratin, Rrogozhinën, Elbasanin, “Jordan Misja”, Shkodrën, Burrelin, Fushë-Krujën dhe Durrësin, duke e kthyer kontrollin në një nga operacionet më të gjera të kohëve të fundit në sistemin e burgjeve.