Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, është shprehur se marrëveshja për një armëpushim 15-ditor mes SHBA-së dhe Iranit pritet të ndikojë pozitivisht në stabilizimin e tregjeve energjetike, duke mundësuar rihapjen e qëndrueshme të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tij, efektet e para të kësaj marrëveshjeje janë reflektuar tashmë në rënien e çmimeve ndërkombëtare të naftës.
Vengu thekson se kjo duhet të pasqyrohet drejtpërdrejt edhe në tregun vendas, duke kërkuar që ulja e çmimeve me shumicë të shoqërohet me ulje në të njëjtën masë edhe në shitjen me pakicë.
Ai shton se gjatë kësaj periudhe, qeveria dhe institucionet ligjzbatuese kanë ushtruar kontroll të vazhdueshëm mbi tregun, duke ndërmarrë masa për të zbutur presionin e çmimeve dhe për të parandaluar abuzimet.
Sipas Vengut, këto mekanizma do të vijojnë të jenë aktivë për të garantuar që në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga importuesit te distributorët, askush të mos përfitojë padrejtësisht nga situata.
