Tre shtetas shqiptarë, të akuzuar për përfshirje në një rrjet të organizuar të trafikut të drogës në qytetin e Gentit, Belgjikë, nuk janë paraqitur në seancën gjyqësore dhe dyshohet se janë arratisur, duke humbur edhe garancitë financiare të depozituara në gjykatë.
Sipas Prokurorisë Publike belge, të pandehurit akuzohen se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Seanca u zhvillua të mërkurën, por mungesa e tyre ka ngritur dyshime se ata janë larguar nga vendi, me gjasë drejt Shqipërisë.
Hetimet për këtë çështje nisën më 6 tetor 2024, pas ndalimit të një automjeti në zonën Gent-Zuid, ku policia zbuloi sasi kanabisi dhe rreth 3,100 euro para cash. Më pas, analizimi i telefonave të të dyshuarve zbuloi komunikime që lidhen me aktivitetin e shitjes së drogës.
Në vijim të operacionit, autoritetet belge ushtruan kontrolle në disa banesa, ku u sekuestruan prova të shumta. Në një apartament në Edward Pynaertkaai u gjetën dokumente që lidhen me kontabilitetin e drogës, para cash dhe lëndë narkotike. Ndërsa në rrugën Oosteeklostraat u sekuestruan 169 gramë kokainë dhe 4,000 euro, si dhe 119 gramë kokainë në një tjetër adresë në Hagelandkaai.
Prokuroria vlerëson se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar, ku njëri prej të pandehurve kishte rol drejtues, ndërsa dy të tjerët vepronin si bashkëpunëtorë. Për ta janë kërkuar dënime deri në 40 muaj burg, gjoba deri në 8,000 euro dhe konfiskim pasurie.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar mungesë provash për ekzistencën e një organizate të strukturuar kriminale dhe duke kërkuar masa më të lehta.
Për shkak të mosparaqitjes në gjykatë, të tre të pandehurit kanë humbur edhe garancitë financiare, përkatësisht 10,000 dhe 8,000 euro, që kishin depozituar për të qëndruar në liri.
