I burgosuri mori leje për të vizituar bashkëshorten shtatzënë


burgu i burrelitNjë i burgosur në Burgun e Burrelit, nga më të tmerrshmit burgje të kohës së komunizmit, ka marrë leje për të shkuar në shtëpi, por nuk është kthyer më në ambientet e izolimit. Burime nga ky burg bëjnë me dije për “Shqip”, se të burgosurit Afrim Zeneli, drejtoria e burgut i ka dhënë një leje 5-ditore për të vizituar të shoqen shtatzënë, por dje, kur ka përfunduar afati i kësaj leje, ai nuk është rikthyer më. Mësohet se Afrim Zeneli, nga Kukësi, është dënuar me 14 vite burg nën akuzën për vjedhje. Ndërkohë, kur atij i kishin mbetur edhe 6 muaj nga kryerja e dënimit, me arsyetimin që ai të vizitojë të shoqen shtatzënë, ka siguruar një leje 5-ditore. Nga drejtoria e Burgut të Burrelit bëhet me dije se Zeneli nuk kishte asnjë qindarkë për të udhëtuar drejt Kukësit, por ka qenë vetë drejtori i këtij burgu të sigurisë së lartë, Demir Çupi, që i ka dhënë 20 mijë lekë të vjetra, që ai të shkonte në shtëpi. Moskthimi i tij pranë ambienteve të këtij burgu, ka bërë që Drejtoria e Burgut të Burrelit të dërgojë furgonin e policisë në shtëpinë e tij në Kukës për ta marrë atë, me mendimin që ai nuk ka pasur lekë për të siguruar kthimin e tij, apo ndonjë arsye tjetër që ka penguar rikthimin. Por, autoritetet e burgut nuk kanë mësuar gjë për adresën e tij dhe aktualisht nuk kanë dhënë asnjë të dhënë për mosrikthimin e tij në burg. Në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar drejtorin e Burgut të Burrelit deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


H. Likdisha