Gjykata e Durrësit ka vendosur të mbajë në fuqi masën e arrestit në burg për drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, ndërsa ka vendosur arrest shtëpie për mjeken e institucionit, Ylfete Sema. Ky vendim konfirmon masat paraprake të ndërmarra për të dy të pandehurit.

Në një tjetër vendim të së shtunës së kaluar, gjykata ka lënë në qeli 3 nga 8 të arrestuarit e tjerë, të cilët janë përfshirë në arratisjen e Altin Ndocit. Ndërkaq, dy prej tyre janë lënë në masën e arrestit në shtëpi, ndërsa tre të tjerë janë nën detyrim paraqitjeje.

Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa akuzohet nga SPAK për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht shtetasit Talo Çela, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.

Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.