Seanca e sotme gjyqësore e dosjes “Plumbi i Artë” është shtyrë për datën 20 janar, pasi i pranishëm në të do duhet të ishte dhe i arratisuri Altin Ndoci.

“Duke marrë në shqyrtim mungesën e këtij të pandehuri, Altin Ndocit, për arratisjen e tij. Në kushtet e pamundësisë për ta shoqëruar në seancë e sotme Gjykata, vlerësohet që gjykata të përsërisë njoftimin për të pandehurin me anë të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, DVP Durrës, DVP Lezhë dhe për të marrë një konfirmim për paraqitjen apo jo një mundësie për të ardhur në këtë gjykim. Gjykata shtyn seancën me datën 20 Janar në orën 10:00”, thuhet në arsyetimin e vendimit të GJKKO-së.

Në nisje të procesit gjyqësor, gjykata ka lexuar shkresën e Drejtorisë së burgjeve: “Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Në këtë moment, njëri prej avokatëve të Ndocit, Aldo Shkëmbi i ka kërkuar gjykatës për të dërguar sipas procedurës njoftimin për mbajtjen e seancës dhe tek banesa e të pandehurit, pasi mund të ndodhet dhe atje, situatë për të cilën askush nuk ka dijeni.

“I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.

Në përgjigje të kësaj, prokurori i SPAK, Behar Dibra, është shprehur se: “Nëse Ndoci ka pasur dijeni për këtë seancë para arratisjes, nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, duke pasur parasysh se vetëm 1 herë që është paraqitur në këtë proces.”