Avokati mbrojtës i drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, ka reaguar pas vendimit të gjykatës që e la atë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai ka njoftuar se do të ankimohet ky vendim, duke theksuar se përgjegjësia është individuale dhe se nuk mund të përfshihen të tjerë në këtë çështje.

Sipas avokatit, akuza e vetme që ngrihet ndaj Cërloj është se ai nuk ka verifikuar nëse i arratisuri, Altin Ndoci, ishte vizituar nga mjeku i IEVP. Megjithatë, avokati ka shtuar se kjo akuzë është e kuptueshme, duke argumentuar se ishte mjeku ai që kishte nënshkruar rekomandimin për dërgimin e Ndoci-t në spitalin e Durrësit, dhe se në këtë kontekst përgjegjësia për verifikimin e vizitës nuk mund të bie mbi drejtorin.

“Sot ishim në seancë për marrjen në pyetje të personit të arrestuar. Më parë ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë, gjykata vendosi vijimin e masës. Jemi dakord që ka qenë një ngjarje e rëndë por përgjegjshmëria është personale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me interpretim të gabuar të ligjit. Gjithë akuza e drejtorit të IEVP është që ka firmosur një shkresë që një i burgosur duhet të shkojë për një vizitë në spital dhe i kërkohet përse nuk ka verifikuar nëse është vizituar apo jo nga mjeku i IEVP. Ndërkohë që në momentin kur mjeku firmos kartelën me rekomandimin për vizitën, merret e mirëqenë që është vizituar. Vendimi do të ankimohet”, tha ai.