Është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, ditën e sotme.

Vendimi ka ardhur pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali Infektiv i qytetit, ku Ndoci ishte dërguar për trajtim mjekësor. Ai dhunoi efektivët dhe u largua me vrap, teksa jashtë spitalit e priste një makinë.

Njoftimi i Drejtorise se Burgjeve për arratisjen e Ndocit:

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.