Të tjera detaje janë bërë publike nga arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrës, mesditën e djeshme.

Policia e Durrësit është njoftuar për arratisjen vetëm pasi Ndoci është larguar, duke e vënë në lëvizje për gjurmimin e tij. Ndërkohë, për shoqërimin e Ndocit drejt spitalit, pas verifikimit të plotë, rezulton se policia nuk është njoftuar në asnjë formë kontakti nga Burgjet.

Po dje, Burgu i Durrësit i ka kërkuar policisë për shoqërimin e një tjetër të dënuar për varrimin e një familjari dhe policia ka kryer shoqërimin e tij.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.