Hekurat e qelisë ku po mbahej u prenë me mjete të posaçme dhe, pas kësaj, ai arriti të zhdukej nga burgu i sigurisë së lartë në Opera. Taulant Toma, 41 vjeç, një i dënuar shqiptar i njohur për tentativat e shumta të arratisjes, është tashmë në kërkim në mbarë territorin italian.

Toma, i cili po kryente dënimin për disa vepra të rënda, përfshirë grabitje, ka shfrytëzuar natën për t’u larguar. Pasi preu hekurat e dritares së qelisë së tij, ai lidhi disa çarçafë dhe u ul përgjatë murit, duke dalë jashtë objektit pa u vënë re.

Kjo nuk është hera e parë që ai thyen sigurinë e burgjeve italiane. Para episodit të fundit në Milano, Toma kishte arritur të largohej në katër raste të ndryshme. Arratisja e tij e fundit e dokumentuar ishte në shkurt të vitit 2013, kur së bashku me një të burgosur tjetër u larguan nga burgu i Parmës, por më vonë u kapën në Belgjikë. Edhe pasi u transferua në një institucion tjetër ndëshkimor, ai gjeti mundësinë të ikte sërish. Ndërsa arratisja e tij e parë daton në vitin 2009, kur u zhduk nga burgu i Ternit.

Mediat italiane shkruajnë se Toma ishte grabitës, hajdut, trafikant droge, dënimi i të cilit do përfundonte në një të ardhme të largët, 2048, ka qenë gjithmonë në arratisje. Kudo që ka qenë i burgosur, në Itali apo jashtë shtetit, Taulanti ka arritur gjithmonë të arratiset.

Dje, kur oficerët e policisë së burgut me siguri të lartë të Operas, në hyrje të Milanos, hynë në qelinë e tij, gjetën një hekur të dritares të prerë dhe çarçafët e lidhur me mjeshtëri që ka përdorur për të zbritur në oborr. Planin e kishte përgatitur me kujdes, pasi limën e kishte siguruar në një nga “zonat e punës” së burgut.

Arratisja do të duhej të përfshinte edhe shokun e qelisë, i cili në fund hoqi dorë. Kamerat e regjistrojnë 41-vjeçarin duke u larguar në këmbë. Gjithçka ndodhi orë 6:30 të mëngjesit dhe mesa duket alarmi nuk ka rënë. Oficerët e policisë së burgjeve nuk vunë re asgjë dhe kështu Taulanti fitoi të paktën një orë avantazh.

Në të kaluarën, më 14 dhjetor 2013, në atë që ndoshta ishte plani i tij më kreativ për t’u zhdukur nga burgu i Lantin në Belgjikë, u ndihmua nga të burgosurit e tjerë, të cilët ishin rreshtuar në një piramidë njerëzore mjaftueshëm të lartë për ta çuar “magjistarin” në majë, ndërsa gardianët merreshin me një shpërthim të krijuar posaçërisht.