Tre punonjësit e burgut të Shënkollit, të cilët u arrestuan pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, u liruan nga qelia.

Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella, u njohën me masën e sigurisë në gjykatën e Lezhës. Sipas burimeve në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, ata kanë deklaruar se kanë qenë në detyre, por nuk e kanë konstatuar 49-vjeçarin duke u arratisur nga burgu.

Pasi dëgjoi palët gjyqtari Lirim Bulica, pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tre punonjësve të burgut dhe vendosi ndaj tyre masat e sigurisë “Arrest në Shtëpi” për Gjin Ndokën punonjës shërbimi në kupole dhe Mark Nikolli punonjës në sektor (grup sigurie), ndërsa (operatore kamerave) Zhaneta Mella u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Daut Laze, 49 vjeç, i cili vuante dënimin në Burgun e Shënkollit, është arratisur duke shfrytëzuar momentin kur ndodhej në sektorin e trajtimit mjekësor. Nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, nuk rezulton që ai të ketë marrë ndihmë nga stafi i burgut.

Sipas burimeve, Laze ka përfituar nga mungesa e stafit pranë tij dhe ka dalë në zonën e ajrimit. Aty ai ka marrë një llamarinë dhe duke e mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë, është ngjitur dhe ka kapërcyer murin. Më pas, ka kaluar rrjetën rrethuese dhe është larguar me vrap në arat fushore pranë burgut.