Dosja
Prokuroria e Korçës përfundon hetimet. Admir Tafili konsiderohet organizatori
Prokuroria e Korçës, ka përfunduar hetimet për arratisjen e shtatë të burgosurve nga Burgu i Drenovës në Korçë, ku nën akuzë janë vënë shtatë të burgosur dhe dy bashkëpunëtorët e tyre. Akuza ka saktësuar se organizatori ka qenë pikërisht Admir Tafili dhe dy bashkëpunëtorët e tij të jashtëm, Albi Maçini dhe Olsian Maçi, të cilët kishin thurur të gjithë planin dhe pas futjes së armëve në burg, nëpërmjet një frigoriferi, kanë marrë shtëpi me qira në Korçë, për të pritur finalizimin e kësaj arratisjeje. Ndërkohë, akuza thotë se rolet e bashkëpunëtorëve të tjerë, janë sekondare, pasi disa prej tyre kanë përfituar nga Tafili, pasi ka hapur qelitë, ndërsa të tjerët, kanë bashkëpunuar me shkodranin, duke e ndihmuar që të kërcënojë gardianët.
Mësohet se ditën e ngjarjes, në orën 15:00 të datës 23 nëntor, ishte hapur ambienti i një klase (ambient i përbashkët për argëtim) në Godinën A të Sigurisë së Lartë, i cili ndodhet në kolonën numër dy, midis sektorëve “3” dhe “4”. Pas hapjes së këtij ambienti, të dënuarve të këtyre dy sektorëve u ishin hapur dyert herë pas here për të shkuar në klasë. Nga sektori “4” kishin shkuar në klasë të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reis Haxhiaj dhe Eduart Lulo, kurse nga sektori “3” kishin shkuar në klasë të dënuarit Artur Gora, Kastriot Maksuti, Dan Hutra, Pelivan Latollari dhe Reshit Adri. Rreth orës 18:45, i dënuari Admir Tafili kishte dalë nga klasa për në drejtim të dhomës së tij, kurse i dënuari Fran Marashi kishte dalë nga dhoma e tij, me një qese me mollë në dorë, për në klasë. Në korridorin e kolonës, ku ishte në shërbim përgjegjësi Gjergji Këllezi, i dënuari Fran Marashi ishte takuar me të dënuarin Admir Tafili dhe i kishte dhënë qesen me mollë. Pasi kishte marrë qesen me mollë, Tafili, i kishte kërkuar përgjegjësit të kolonës që ta lejonte të kalonte në sektorin “3”, me qëllim për t’i dhënë mollët të dënuarit Selami Sparthi, i cili ndodhej në sektorin “1”. Përgjegjësi i kolonës, e kishte lejuar Tafilin për të kaluar në sektorin nr.3. Pas tij ishte lejuar për të kaluar në sektorin nr. 3 edhe i dënuari tjetër Fran Marashi, madje pa u kontrolluar fizikisht rregullisht. Sapo kishte hyrë në sektorin “3”, i dënuari Admir Tafili, kishte dëmtuar menjëherë kamerën e vëzhgimit të këtij sektori, ndërsa Fran Marashi i ishte drejtuar dhe e kishte kërcënuar me një armë që e kishte me vete, përgjegjësin e shërbimit. I dënuari Gëzim Guri, i cili ndodhej në klasë, kishte nxjerrë një armë dhe pasi kishte kërcënuar përgjegjësin e kolonës Gjergji Këllezi, kishte dalë nga klasa dhe në vazhdim ishte larguar drejt daljes së godinës së bashku edhe me të dënuarit Eduart Lulo, Reis Haxhiraj dhe Artur Gora, dy prej të cilëve ishin gjithashtu të armatosur. Ndërkohë, të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Eduart Lulo, Reis Haxhiraj dhe Artur Gora, pas daljes nga godina A, ishin drejtuar për te dera e tunelit (detektorit). Pasi kishin trokitur aty dhe dera ishte hapur nga brenda prej kontrollorit Edmond Qarri pa bërë asnjë verifikim (dera e tunelit hapej vetëm nga brenda, ku dhe ndodhej kontrollori dhe jo nga ana e regjimeve, ku ishin të dënuarit), të dënuarit ishin drejtuar për te dera në ambientet e kontrollit të familjarëve dhe nëpërmjet kësaj dere kishin dalë jashtë godinës dhe më tej ishin drejtuar për te rrethimi i perimetrit të jashtëm të burgut, i cili ishte thurur me tel. Të ndihmuar edhe nga jashtë, të dënuarit kishin prerë telin e rrethimit të jashtëm të burgut dhe ishin larguar.