Tiranë – Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për këngëtarin Arkimed Lusha, i njohur ndryshe si Stresi. Këngëtari i muzikës rep është kapur me një pistoletë pa leje, teksa dilte nga një lokal, rreth orës 03:15 në rrugën “Murat Toptani”, pasi kishte festuar Halloween-in me shoqërinë e tij. Policia bëri të ditur se Stresi, i cili shoqërohej edhe nga një mik i tij, është konfrontuar me dy punonjës të Komisariatit Nr. 1, duke mos i lejuar që të ushtronin kontroll fizik ndaj tyre. Gjatë momentit të ndalimit të Lushës ka ndodhur edhe një incident, pasi këngëtari ka tentuar të largohet, duke u konfrontuar me punonjësin e policisë, Altin Lala. Në tentativë për të shmangur arratisjen e këngëtarit, policit tjetër D.H. i është shkrehur aksidentalisht arma e shërbimit në drejtim të kolegut të tij, duke e plagosur në këmbë. Fatmirësisht efektivi është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak.