foto per lajmin arrestim per krime lufte.jpgNë mesin e të dyshuarve është edhe Sulejman Selimi, ambasadori i Kosovës në Tiranë


Në Prishtinë, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, vendosi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për shtatë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte. Sipas EULEX-it, të shtatët po hetohen “për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Ata civilë janë mbajtur në qendrën e ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të Komunës së Skenderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”. Që nga pasditja e së premtes e deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës ka zgjatur seanca gjyqësore “për caktimin e masës së sigurisë për të shtatë personat e dyshuar”. Në mesin e të dyshuarve janë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-komandant i zonës së parë të ish-UÇK-së. Në të njëjtin grup janë edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, të gjithë ish pjesëtarë të UCK-së. Avokatët mbrojtës thanë se do të apelojnë vendimin meqë, gjykata ka vendosur pa asnjë provë për atë që pretendohet. Seanca gjyqësore është përcjellë nga grupe qytetarësh, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimi i hetimeve ka nxitur reagime të shumta, ndërsa organizatat e dala nga lufta e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë paralajmëruar protesta, duke e akuzuar EULEX-in se, siç thuhet, me përndjekjen e vazhdueshme të luftëtarëve të lirisë, po bën përpjekje të njollosë luftën çlirimtare të kombit shqiptar. Kundër këtyre hetimeve kanë reaguar edhe qeveria e Kosovës dhe partitë politike duke bërë thirrje për drejtësi dhe respektim të vlerave të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve të luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen më të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.