Gazetari Artan Hoxha e konsideron hetimin që ka çuar në caktimin e masës “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si pjesë të një çështjeje që, sipas tij, mund të ketë përmasa më të mëdha.

I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, me Sidorela Gjonin, Hoxha tha se të dhënat e deritanishme mund të përbëjnë vetëm një pjesë të asaj që mund të zbulohet nga hetimet.

“Unë mendoj se kjo është një dosje shumë e madhe. Është thjesht një moment ku është futur dora, për shkak të telefonave”, deklaroi ai.

Gjatë intervistës, gazetari foli edhe për rrugëtimin e Hysenit drejt drejtimit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Përpara marrjes së këtij posti, ajo kishte ardhur nga strukturat e inteligjencës së Kosovës dhe kishte shërbyer si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë kombëtare. Në vitin 2023, Rama e propozoi për drejtimin e SHISH.

Sipas interpretimit të Hoxhës, emërimi i saj duhet parë edhe në kontekstin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Kosovës në atë periudhë.

“Vlora erdhi nga strukturat e Inteligjencës së Kosovës, e larguar nga detyra për një përplasje nga Kurti. Në momentin që Rama e mori, kishin filluar fërkimet mes Ramës dhe Kurtit. Ajo kishte shumë informacione për Kosovën. Ka qenë këshilltare e kryeministrit. Rama e bën shpesh këtë, që të marrë nga Kosova. Personi që mori postin më sinjifikativ ishte ai i shërbimit sekret”, u shpreh gazetari.

Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e pozicionit të drejtuesit të SHISH, duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimit të shërbimeve shqiptare me strukturat partnere.

“Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe shërbimi sekret është i rëndësishëm, ndërvepron dhe kryen operacione të përbashkëta”, tha ai.

Një tjetër element që komentoi ishte fakti se Hyseni ndodhej në Azerbajxhan në kohën kur u raportua masa e sigurisë ndaj saj. Hoxha shprehu bindjen se vendimi gjyqësor nuk ishte marrë pikërisht në ditën kur lajmi u bë publik.

“Jo më larg se sot, shefja është në Azerbajxhan. Unë jam i bindur që masa e sigurisë nuk është marrë sot. Arresti shtëpiak është njësoj si arrest me burg, i është dhënë si një masë lehtësuese”, deklaroi Hoxha.

Sa i përket mundësisë së kthimit të drejtoreshës së SHISH në Shqipëri, gazetari tha se nuk pret që ajo të largohet nga përgjegjësitë ligjore, ndërsa theksoi se nuk ka dijeni për nivelin e provave që disponojnë organet e drejtësisë.

“Po, jemi vend europian, anëtar i NATO-s. Ne do donim të ikte, se e bën ngjarjen edhe më të madhe, sepse është përzgjedhje e kryeministrit. Por kam besim se nuk do të ndodhë. Nuk e di nivelin e provave, por inkurajoj prokurorët të thellojnë hetimet, deri ku ka arritur korrupsioni”, përfundoi Hoxha.