Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka folur lidhur me arrestimin e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Duke folur për mediat, Gogu tha se ndarja mes përgjegjësisë politike dhe asaj penale është e qartë, duke theksuar se qeveria e ka marrë përgjegjësinë politike përmes vendimit për shkarkimin e Hysenit nga drejtimi i institucionit. Ai tha ndër të tjera se drejtimi i SHISH është garantuar përmes emërimit të një drejtuesi të ri, ndërsa për përgjegjësinë penale duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.
“Përgjegjësia politike është marrë, në krye të SHISH ka një drejtues të ri derisa të ketë një drejtues përfundimtar. Përgjegjësia penale është individuale, individët kanë përballë proceseve. Qeveria e shkarkoi drejtuesin për shkak të akuzës dhe siguroi vazhdimësinë e institucionit. Për sa i përket se çfarë ka ndodhur në institucion duhet të presim të gjithë procesin. Përgjegjësia politike është kur ti merr drejtimin që institucioni të vazhdojë të bëjë punën”, tha Gogu.
