Në një fjalim para anëtarëve të Kuvendit Rinor të Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama u ndal tek një nga arritjet kryesore të mandatit të tij, Reforma në Drejtësi. Rama theksoi rëndësinë e kësaj reforme si një hap thelbësor për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë e ndërtimit të një shteti funksional, të drejtë dhe të besueshëm.
Ai përmendi gjithashtu përpjekjet e fundit për luftën kundër korrupsionit, duke përmendur arrestimet e ish-ministrave dhe kryebashkiakëve të Partisë Socialiste nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke treguar angazhimin e qeverisë për të pastruar institucionet dhe për të sjellë drejtësi për të gjithë qytetarët. Rama theksoi se këto veprime janë pjesë e një procesi më të gjerë për forcimin e ligjit dhe përmirësimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.
“Ata mund t’ju thonë se jemi një çetë hajdutësh, sepse ky dhe ai që deri dje ishin me ne, madje edhe një karrige më tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia, por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve se po të mos ishim ne socialistët që përdorëm pushtetin tonë për t’i dhënë pavarësinë drejtësisë, sot nuk do të kishte asnjë njeri të pushtetit të sotëm dhe të djeshëm para drejtësisë siç nuk pati që prej vitit 1912, kur ne bëmë Reformën në Drejtësi. Reformën në Drejtësi ne e bëmë siç e thamë jo për të luftuar kundërshtarët, por për t’u dhënë për herë të parë në histori shqiptarëve shansin real të ndërtimit të një shteti”, u shpreh Rama.
