Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimet e bëra në Universitetin Bujqësor të Tiranës me kërkesë të SPAK, duke i cilësuar si “masa sigurie pa gjyq”. Ai njoftoi se rektori Fatbardh Sallaku ka kërkuar të dëgjohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke argumentuar se bëhet fjalë për një “keqkuptim të madh”.
Sipas Ramës, 24 masat e sigurisë për stafin dhe pedagogët e universitetit lidhen me disa procedura të viteve më parë, me një vlerë totale më pak se 30 milionë lekë. Ndërkohë, rektori nuk është i përfshirë në hetim, por synon të sqarojë situatën.
Mes të arrestuarve janë administratorët e universitetit, Eduart Terthorja, Altin Murto dhe Amarildo Lleshi, si dhe specialisti i fondeve Mehmet Qoshja. Pirro Zogu është shpallur në kërkim, ndërsa dy zëvendësrektorët, Ilir Kapaj dhe Romina Koto, janë nën masën “detyrim paraqitje”.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.