Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me zhvillimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe masat e sigurisë të vendosura ndaj 24 personave të përfshirë në një çështje hetimore. Gjatë një takimi me Grupin Parlamentar të PS-së, Rama theksoi se rektori i këtij universiteti, Fatbardh Sallaku, nuk është subjekt i një hetimi penal dhe nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar detyrën e tij.

“Nuk mund të japim hapësirë dhe nuk mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim, por unë jam siguruar që rektori nuk është njëri prej tyre,” deklaroi Rama. Ai sqaroi gjithashtu se përpara kandidimit për rektor, Sallaku i ishte drejtuar SPAK-ut me një kërkesë zyrtare dhe kishte marrë përgjigje pozitive për të kandiduar.

Kryeministri shprehu shqetësimin për impaktin që ky zhvillim mund të ketë te partnerët ndërkombëtarë, sidomos Universiteti BOKU i Vjenës, me të cilin Universiteti Bujqësor ka nisur një bashkëpunim. “Çfarë do të mendojnë ata kur të dëgjojnë për 24 masa sigurie ndaj një institucioni akademik? Ky është një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që nuk ka pasur asnjë flagrance,” theksoi Rama.

Ai shtoi se ndërsa çdo abuzim me fondet e kërkimit shkencor duhet të hetohet dhe ndëshkohet, situata aktuale nuk duhet të pengojë punën e universitetit. “Nuk ka arsye për të bllokuar institucionin. Rektorin e kemi pak demokrat, por është mirë ta lëmë të vazhdojë punën,” tha ai me tone ironike.

Rama reagoi edhe ndaj kritikave për organizimin e dëgjesës, duke theksuar se mazhoranca është e vetmja forcë politike që garanton reformën në drejtësi. Ai përmendi një kritikë nga analisti Afrim Krasniqi, i cili e ka cilësuar këtë dëgjesë si një ndërhyrje politike në një çështje të drejtësisë. “E konsideron akt minus për drejtësinë, por unë nuk ndaj të njëjtin mendim,” përfundoi kryeministri.