Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar me tone të ashpra pas ndalimit dhe arrestimit të avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit, ngjarje që ndodhi vetëm një ditë pas përplasjes së tij me prokurorin Gjergji Ceka në sallën e gjyqit.
Ngjarja e pazakontë nisi pas një deklarimi të avokatit gjatë seancës, ku ai kundërshtoi një provë që sipas tij ishte e falsifikuar dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj prokurorit.
Ky veprim u interpretua si “kanosje”, duke çuar në ndalimin e tij. Dhoma e Avokatisë e cilëson ngjarjen si një precedent të rrezikshëm për fjalën e lirë dhe ushtrimin e profesionit të avokatit në mbrojtje të ligjit.
Reagimi i plotë:
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit.
Nga sa Dhoma e Avokatisë ka marrë dijeni, rezulton se një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar në një abuzim të atributeve të prokurorit, duke mos pranuar debatin gjyqësor, por duke urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tirnaë.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Prof. Dr. Maksim Haxhia.