Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar për arrestimin e avokatit në sallën e gjyqit në Elbasan, duke e cilësuar si një masë ekstreme që nuk duhej të kishte ndodhur.
Ai theksoi se ky rast mund të jetë një reflektim i shqetësimeve të shprehura në Komisionin e Ligjeve për mënyrën e ushtrimit të funksioneve nga disa prokurorë, sidomos ata të rinj.
Çela e vlerësoi si të papranueshme që të ndodhte arrestimi në sallën e gjyqit, dhe theksoi se masa e arrestit duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe në raste ekstreme.
Ai shtoi se në çdo rast mund të trajtohet ndjekja penale përmes kallëzimeve, dhe se janë bërë përpjekje për të ulur përdorimin e masave të tilla. Kryeprokurori e konsideroi incidentin si një rast që nuk duhej të kishte ndodhur dhe theksoi se nuk di të ketë ndodhur një ngjarje të ngjashme më parë.
“Përgjigjen e pyetjes në fakt e përmenda në komisionin e ligjeve. Kemi sot probleme se si realizohet funksionet e tyre nga një pjesë e prokurorëve, sidomos atyre të rinj. Ndoshta rasti në fjalë mund të jetë një reflektim i atij shqetësimi.
Sigurisht është e papranueshme që të dalim nnga salla e gjyqit me arrestim. Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë ekstrem dhe e fundit. Në çdo rast patjetër që elemnti i veprës penale mund të trajtohet me kallëzimi. Ne jemi përpjekur që të kemi një ulje të masave ekstreme .
Patjetër që rasti në fjalë është një rast që nuk duhet të ndodhte. Pro është një gjë tjetër si trajtohen nga rasti administrativ apo penal. Nuk di të ketë ndodhur një rast i ngjashëm.”, tha Çela.
