Dritan Goxhaj dhe disa protestues të tjerë janë shoqëruar në polici pas përplasjes me policinë në ambientet e jashtme të Kuvendit. Kreu dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ishte i pranishëm tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku janë zhvendosur protestuesit duke kërkuar lirimin e atyre që u shoqëruan pas tensioneve para godinës së Kuvendit. Shehaj tha se ata u dhunuan para kamerave teksa po shprehnin pakënaqësinë e tyre kundër qeverisë.

“Protestuesit e dhunuar po shprehin pakënaqësinë e tyre kundër qeverisë dhe deputetëve të mazhorancës. Janë 6 të shoqëruar. Dy janë të komisariati nr 1, dy te komisariati nr 2, dhe dy te komisariati numër 4. U dhunuan haptas përballë parlamentit para kamerave. Ka shumë mundësi që të dhunohen edhe nëpër komisariate ku janë shoqëruar.”, tha Shehaj.

Ndërkohë deputeti i “Mundësia” Erald Kapri denoncoi sjelljen e efektivëve që tërhoqën zvarrë protestuesit, teksa u shpreh se të gjitha procedimet e deritanishme të Policisë për protestuesit ishin rrëzuar.

“Dua të kujtoj se të 150 procedimet për protestuesit deri tani nga Policia janë rrëzuar si të paligjshme. E papranueshme, i mori zvarrë, i mori Policia, kjo është e papranueshme, janë 6 persona të shoqëruar, të marrë zvarrë”, u shpreh ai.