Një arrestim rutinë në Algaida të Spanjës, në shkurt 2024, u kthye në pikënisjen e një prej operacioneve më të mëdha kundër trafikut të drogës në Ishujt Balearikë. Dy hajdutë të vegjël u ndaluan për disa grabitje, por në shtëpinë e njërit, policia zbuloi një plantacion marijuane dhe lidhje të paligjshme elektrike. Analiza e telefonit të tij do të çonte më vonë në rrjetin ndërkombëtar “Manso-Enroque”.
Pas gati dy vitesh hetimesh të fshehta, me qindra përgjime e ndjekje, policia spanjolle zbuloi një organizatë që bashkëpunonte me mafien shqiptare për të futur përmes Ibizës qindra kilogramë kokainë e hashash, që më pas shpërndaheshin në Majorka dhe pjesën tjetër të Europës. Bilanci: 76 të arrestuar, 687 kg kokainë, 2.5 ton hashash dhe 1.5 milionë euro të sekuestruara.
Në qendër të rrjetit qëndronin avokati Gonzalo Márquez, “truri” i organizatës, dhe Stefan Milojević, udhëheqës bande motoristësh, që dyshohet se drejtonte operacionet e trafikut. Hetimet zbuluan edhe bashkëpunimin e një inspektori policie dhe një agjenti të Portit, të cilët i informonin trafikantët për lëvizjet e hetuesve.
Operacioni final u zhvillua më 11 gusht, me arrestimin e drejtuesve kryesorë dhe shkatërrimin e plotë të rrjetit. Aksionet vijuan muaj pasues në zonat e trafikut lokal, duke çuar në dhjetëra arrestime të tjera.
Një hetim që nisi nga një hajdut i zakonshëm, përfundoi duke rrëzuar një perandori të tërë droge me degë në gjithë Europën.
