Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht për operacionin ku u arrestua ish-zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe shefi e Krimeve, Dedan Gjoni.

SPAK thotë se nisi procedimin penal për veprat: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, SPAK ka zhvilluar hetime lidhur me disa shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

Janë sekuestruar në total: 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021, 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021,  166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani, 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani.

Janë identifikuar autorët e dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave në Shqipëri.  Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;

Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale.

Të arrestuar janë Erzen Breçani, Bujar Gërmizi dhe Dedan Gjoni.

Ne kërkim janë Ervin Mata, Besmir Mustati, Eralbi Breçani, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Mesmir Murati

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.