ATSH1Agjencia Telegrafike Shqiptare është distancuar dhe ka dënuar veprimin e gazetarit Bektash Zeneli, i cili u ndalua nga policia për akuzën e korrupsionit pasiv. Në një reagim publik, ATSH ka bërë të ditur se Zeneli është pushuar nga puna, menjëherë sapo është marrë vesh lajmi i arrestimit të tij.


“Drejtoria dhe gazetarët e ATSH-së, distancohen dhe dënojnë këtë akt korruptiv, që është në kundërshtim të plotë me misionin fisnik të gazetarëve të këtij institucioni mediatik, që në radhë të parë kanë informimin e saktë të opinionit publik dhe ruajtjes së etikës profesionale gjatë ushtrimit të aktivitetit”,- nënvizon Agjencia Telegrafike Shqiptare.


Bektash Zeneli, i cili kishte vetëm dy muaj provë në ATSH si gazetar, u ndalua pasi ushtroi presion ndaj një punonjësi të policisë së doganës së Kakavijës, duke i kërkuar 3000 euro në këmbim të mos publikimit të një videoje, që sipas tij provonte përfshirjen në afera të efektivit të ruajtjes së kufirit.


8 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)