Ditën e sotme zbuluar identiteti i personit të shpallur në kërkim me urdhër të SPAK. Mësohet se personi i shpallur në kërkim është Altin Hajri, një emër i njohur i botës së krimit. Hajri u shpall në kërkim ditën e djeshme ndërsa në pranga u vendos ish-deputeti Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha.
Sipas raportimeve Hajri ka ndërhyrë që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën për deputet. Bisedat mes tyre janë zhvilluar në aplikacionin e koduar SkyEcc janë zhvilluar në vitin 2019. Në biseda flitet që Jurgis Çyrbja të hynte në listën e sigurtë të PS-së për deputet. Hajri mësohet se ka ndërhyrë për socialistin së bashku me Ahmet Mashën.
Hajri gjithashtu akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020. Ai është, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut dhe po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro. Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.
Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015. Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.