Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është thirrur nga SPAK për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me dosjen “Çyrbja”. Dako, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, mbërriti në SPAK i shoqëruar nga një efektiv policie dhe pritet të pyetet për këtë çështje që ka çuar në burg ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja.
Raportohet se Dako mund të pyetet për përfshirjen e tij në listën e PS për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në qarkun e Durrësit, ku Jurgis Çyrbja ishte vendosur në një pozicion të sigurt, në vendin e 5-të. Çyrbja u arrestua pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e koduar ‘Sky ECC’, ku u zbulua se ai kishte siguruar dhe shpërndarë informacionet sekrete shtetërore për grupe kriminale, duke përfshirë Altin Hajrin. Sipas SPAK, Hajri i kishte shpërblyer Çyrbjan me vota në zgjedhjet e 2021.
Jurgis Çyrbja dhe bashkëpunëtori i tij, Ahmet Masha, u arrestuan më 20 tetor, pas urdhrit të SPAK, ndërsa urdhri i arrestimit për Altin Hajrin, i cili është ende në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar 2020, nuk është ekzekutuar ende.
Çyrbja akuzohet për “tregimin e sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, veprime që sipas hetimeve janë kryer në më shumë se një rast.