Të tjera të dhëna janë bërë publike pas ndalimit të këngëtarit fierak Erind Xhaferi, i cili po hetohet pas një denoncimi që lidhet me sjellje të dyshuara ndaj vajzave të mitura.

Sipas informacioneve paraprake, ky nuk rezulton të jetë rasti i parë kur emri i Xhaferit përfshihet në një procedim të kësaj natyre.

Rreth dy vite më parë, këngëtari mësohet se është proceduar pas një tjetër denoncimi, në atë rast për një episod të dyshuar ngacmimi seksual.

Në atë kohë ndaj tij nuk ishte vendosur masë arresti dhe procedurat ishin zhvilluar ndërsa Xhaferi qëndronte në gjendje të lirë.

Rasti i fundit ka nisur pas një telefonate të mbërritur në sallën operative të Policisë së Fierit.

Sipas të dhënave të deritanishme, disa vajza kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë duke raportuar sjelljen e dyshuar të këngëtarit.

Pas sinjalizimit, efektivët kanë nisur verifikimet në terren dhe kanë ndërmarrë veprimet për dokumentimin e rrethanave të denoncuara.

Në përfundim të ndërhyrjes, Xhaferi është ndaluar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Atje kanë vijuar veprimet procedurale dhe marrja e dëshmive për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e personave që kanë bërë denoncimin.

Sipas informacioneve paraprake të raportuara për çështjen, dyshimet ndaj Xhaferit lidhen me veprën penale “Vepra të turpshme”, të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal.

Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të rastit dhe nëse pretendimet e ngritura ndaj tij mbështeten nga provat e administruara nga autoritetet.