Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të një efektivi policie shqiptar në Greqi.
Balla ka bërë me dije se efektivi Amarildo Kureta, 32-vjeç, është përjashtuar nga radhët e policisë, dhe se prej datës 2 gusht nuk ishte më në detyrë.
Mësohet se Kureta kishte marrë lejen vjetore dhe ishte nisur për pushime, por sapo ka hyrë në doganën greke ai është prangosur. Burimet zyrtare të DVP Berat konfirmojnë se nuk kanë pasur asnjë njoftim nga Interpoli se efektivi i tyre ishte person “i shpallur në kërkim” për trafik droge.
Kureta ishte shpallur në kërkim nga shteti italian, ku akuzohet për trafik droge, pas hetimeve disa vjeçare dhe kriptimeve të bisedave telefonike mes efektivit dhe një rrjeti të strukturuar krimi në fushën e narkotikëve.