Deputeti i Bundestagut gjerman, Andreas Mayer, i është drejtuar Qeverisë Federale me një sërë pyetjesh lidhur me situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet ende në paraburgim pas 8 muajsh.

Deputeti gjerman ka kërkuar sqarime mbi ndikimin që mund të ketë rasti i Veliajt në vlerësimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe në perceptimin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend.

Në pyetjet e tij, deputeti Meyer pyet: se a është i njohur për Qeverinë Federale rasti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, me sa duket për një periudhë joproporcionale prej tetë muajsh, prej të cilëve gjashtë pa akuzë, si dhe a është e njohur për Qeverinë Federale vlerësimi për Shqipërinë, nëse po, cilat përfundime nxjerr ajo prej kësaj në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Ai shton se “sistemi i drejtësisë, ashtu edhe paditë ndaj kundërshtarëve politikë dhe raportimet mediatike të njëanshme, përdoren si “arma politike” për të eliminuar kundërshtarët politikë”.

Deputeti gjerman i ka drejtuar qeverisë gjermane edhe pyetjen: a janë të njohura për Qeverinë Federale raportimet mediatike, sipas të cilave ka ndërhyrje në autonominë e pushtetit vendor, dhe nëse po, cilat përfundime nxjerr ajo prej kësaj në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Ndërkaq, në përgjigjen e saj, Qeveria Federale Gjermane ka theksuar se: “Ashtu si Gjermania, edhe Shqipëria e ka ratifikuar Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe është zotuar për respektimin e pavarësisë politike, administrative dhe financiare të njësive vendore. Qeveria Federale po ndjek zhvillimet përkatëse dhe do të ndjekë me vëmendje të veçantë rezultatet e vizitës së ardhshme të rregullt të monitorimit nga Kongresi i Pushteteve Vendore dhe Rajonale të Evropës në kuadër të Kartës”, thuhet në përgjigjen e qeverisë federale gjermane.

Top Channel