Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka komentuar arrestimin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Pas takimit me Komisionin Ndërparlamentar të Bashkimit Europian, Ballla u ndal për mediat, ku deklaroi se Partia Socialiste nuk është avokate e askujt.

Balla theksoi se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes së SPAK, ndësa shtoi se çdo zyrtar duhet të përdorë rrugën gjyqësore për të kundërshtuar çdo masë që kufizon lirinë e tij.

“Unë bëj pjesë në ata që nuk i komentojnë dosjet e SPAK, nuk kam komentuar as dosjet ku kam bërë akuzë unë, rasti i Sali Berishës dhe s’kam komentuar asnjëherë përmbajtje të dosjes. Me vendim gjykate, tanimë jemi të ndaluar për të komentuar mbi copëza bisedash. Janë dy standarde që ky grup parlamentar, mazhorancë, shumicë, i ka përcaktuar. Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë të të gjitha formave në gjykatë. PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt. Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë përmes së drejtës që i ka dhënë sovrani, e ka ushtruar këtë të drejtë dhe dua të rishpreh që Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimet e lirisë para vendimit të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Hyni në ChatGPT dhe pyeteni kush është delja e zezë e Europës”, tha Balla.

Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda