Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për masat që janë vënë ndaj shefes së SHISH, Vlora Hyseni mëngjesin e kësaj të marte.

Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se ky është niveli më i ulët i tradhtisë, ndërsa shtoi se denoncimet ndaj saj, ai i kishte bërë që në vitin 2022.

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky,” tha Berisha.