Ka përfunduar pas rreth një ore mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e zhvilluar këtë të hënë në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Shërbimin Informativ të Shtetit, pas zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Hyseni akuzohet se gjatë kohës që drejtonte institucionin i ka përcjellë informacione sekrete Ergys Agasit, në periudhën kur ky i fundit ishte në arrati. Çështja është tashmë objekt i hetimit të organeve të drejtësisë.

Në qendër të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishin situata e sigurisë në vend, mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe zhvillimet e fundit brenda Shërbimit Informativ të Shtetit.

Pas largimit të Hysenit, drejtimi i komanduar i SHISH i është besuar Elvis Lilës, i cili pritet të qëndrojë në krye të institucionit deri në emërimin e drejtuesit të ri.

Në mbledhje morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha.

Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të sigurisë së vendit, mes tyre SHISH, Policia e Shtetit dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.