Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje, duke arrestuar katër persona dhe proceduar penalisht një tjetër.
Operacioni policor i koduar “Sezoni”, i zhvilluar pas një hetimi disamujor me metoda speciale, çoi në zbulimin e një grupi personash që dyshohet se merreshin me shitjen, shpërndarjen dhe mbajtjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut Shkodër.
Në pranga ranë G. B., 20 vjeç, banues në Ktosh, D. R., 20 vjeç, banues në Koplik dhe K. P., 22 vjeç, banues në fshatin Lohë e Poshtme. Ndërkohë, ndaj R. H., 34 vjeç, nisi procedim penal në gjendje të lirë.
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit, uniformat blu sekuestruan një sasi të dyshuar lënde narkotike Cannabis Sativa, si edhe pesë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal.
Policia bëri të ditur se, në vijim të të njëjtit hetim, gjatë muajve qershor dhe korrik 2026 janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Në një rast tjetër, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë arrestuan në flagrancë një 18-vjeçar me inicialet A. P., banues në zonën Pulaj-Plazh.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj të riut u gjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa kontrolli në banesën e tij çoi në sekuestrimin e një sasie lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza dhe e dyshuar e destinuar për shpërndarje.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila po vijon veprimet hetimore.
