Një parcelë me 172 bimë të dyshuara narkotike kanabis, është zbuluar në afërsi të një banese në fshatin Berishë të Fushë-Arrëzit.
Raportohet se në pranga kanë rënë dy personat që dyshohen se e kishin kultivuar, babë e bir.

Ata u ndaluan pas kontrolleve të kryera nga efektivët e Komisariatit të Policisë Pukë në kuadër të operacionit “Territor i Pastër”, që vijon në të gjithë vendin kundër kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë ndërhyrjes, policia asgjësoi me djegie bimët e dyshuara narkotike, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua për t’u përdorur si provë materiale në hetim.

Njoftimi i policisë:

Fushë Arrëz/Vijon operacioni i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir) pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, afër banesës së tyre, në fshatin Berishë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u ndaluan shtetasit T. M., 59 vjeç dhe Y. M., 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Berishë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në afërsi të banesës së tyre.

Bimët narkotike u asgjësuan nga shërbimet e Policisë, me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.