Dy shqiptarë, babë dhe bir, janë arrestuar sot në Selanik të Greqisë nën akuzën për trafik droge në lokalin që kishin në pronësi. Aktiviteti i paligjshëm sipas mediave dhe autoriteteve të vendit fqinj kryhej në kafenenë që ata menaxhonin së bashku, ku dhe shitej kokaina.
Të arrestuarit janë 60 dhe 33 vjeç, teksa ndaj tyre është ngritur një dosje me akuzën e trafikimit dhe shitjes, me të cilën do të çohen në prokurori për ndjekje penale. Sipas një deklarate nga Policia, gjatë një kontrolli policor në dyqan, dhjetë pako me kokainë, me peshë 10.49 gramë, u gjetën të fshehura me kujdes në një vrimë të hapur në mur dhe të mbuluar me një pllakë.
Ndërkohë në banesën e tyre, pas kontrollit me qen policie u gjetën tre pako të tjera me kokainë, me peshë 2.95 gramë. Në të njëjtën kohë, u sekuestrua shuma prej 1.320 eurosh, dy telefona celularë dhe një shufër metalike e palosshme.
