Dy shtetas turq janë vënë në pranga për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara në aeroportin e Rinasit.
Gjatë kontrolleve janë arrestuar shtetasit me iniciale H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të dy me kombësi turke. Sipas policisë, 29-vjeçari i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me mikun e tij, paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar.
Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar. Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë i gjetën 29-vjeçarit një kartë identiteti dhe një leje drejtimi greke, të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, edhe pasaporta greke e paraqitur rezultoi e falsifikuar.
Ndërkohë, në çantën e shpinës së 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një pasaportë turke me të dhënat e 29-vjeçarit, e cila, pas ekzaminimit në laborator, rezultoi dokument i rregullt.
Të rinjtë akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Njoftimi i policisë:
Goditet një rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara. Arrestohen në flagrancë dy shtetas turq.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Seksionit e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga kjo pikë e kalimit kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit: H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të dy me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit në dalje, shtetasi H. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me shtetasin A. H., paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar. Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar.


