Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin e koduar “Posta e Rreme”, duke goditur një grup të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Si rezultat, u vunë në pranga dy shtetas kinezë, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç.
Hetimet zbuluan se dy të arrestuarit kishin hyrë në Shqipëri më 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mbledhur të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve.
Gjatë kontrollit të ambientit ku qëndronin, u sekuestruan 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj mesazheve dhe faqeve të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të raportojnë menjëherë çdo rast dyshimi pranë Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
NJOFTIMI:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme”.
Goditet një grup i huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Vihen në pranga dy shtetas kinezë.
Në kuadër të operacionit “Posta e rremë” u arrestuan shtetasit Cunfeng Fan dhe Haike Yan.
Sekuestrohen 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, me objektiv identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.
Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:
📍 Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
📍 Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
📍 Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;
📍 Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
⚠️ Thirrje për qytetarët:
Nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaritë e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë kibernetike.
