Tre të rinj shqiptarë nga Saranda janë arrestuar në Greqi, pasi policia u sekuestroi 66 kilogramë e 742 gramë kanabis, që dyshohet se po transportohej nga Shqipëria drejt shtetit fqinj.
Operacioni u zhvillua në zonën e Igumenicës, ku efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare të Filatit, ndaluan fillimisht një automjet të drejtuar nga njëri prej të dyshuarve.
Gjatë kontrollit, në automjet u zbuluan 60 pako me lëndë narkotike, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë. Më pas, në një tjetër vendndodhje, policia ndaloi edhe një automjet të dytë, ku udhëtonin dy shqiptarët e tjerë.
Sipas hetimeve, dy të rinjtë dyshohet se kishin rolin e pararojës, duke sinjalizuar drejtuesin e makinës së ngarkuar me drogë për kontrollet e mundshme policore.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan dy automjetet, 1,130 euro dhe katër telefona celularë. Në kërkime u angazhuan edhe qentë antidrogë “IKARUS” dhe “JERRY”.
Tre të arrestuarit, së bashku me materialet procedurale, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë.
Ndërkohë, sipas mediave greke, gjatë 15 muajve të fundit autoritetet kanë sekuestruar rreth 1.5 tonë kanabis në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Florinës dhe Selanikut. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve dyshohet se lidhet me itinerarin e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës.
