Një 17-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje ka rënë në prangat e policisë së Durrësit mëngjesin e sotëm.

Mësohet se i riu u kap në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar, teksa ai akuzohet për një ngjare të ndodhur më 14 maj, kur ka qëlluar me thikë një person. Ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë, por fatmirësisht ka mundur të mbijetojë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”. Kapet dhe vihet në pranga një 17-vjeçar, për plagosje të rëndë me dashje.

Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wanted”. Si rezultat, në lagjen nr. 8, Durrës, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. N., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ky shtetas, më datë 14.05.2025, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. R.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.