Lezhë
Alfred Bajraktari arrestohet nga policia, në kërkim dy persona të tjerë
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 21-vjeçar nga Ishull Lezha, pasi akuzohet për veprën penale të vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim. Alfred Bajraktari është arrestuar dje nga blutë e komisariatit të Lezhës, pasi dyshohet se ka hyrë në një banesë në lagjen ku banonte së bashku me dy persona të tjerë, tashmë të shpallur në kërkim dhe kanë marrë sende me vlerë. Ngjarja ka ndodhur në muajin korrik, ndërsa hetimet e kryera kanë zbardhur autorët e kryerjes së saj.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës mësohet se kanë qenë metodat speciale të përdoruar nga ana e policisë së këtij rrethit, që kanë dërguar edhe në zbulimin e kësaj vepre penale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se përgjimet telefonike të bëra me urdhër të Prokurorisë, kanë dërguar uniformat blu drejt krijimit të një identiteti të autorëve të krimit dhe në arrestimin e njërit prej tyre, ndërsa janë shpallur dy kolegët e tij në kërkim. Sipas Policisë së Lezhës, në momentin e grabitjes në shtëpi ndodhej vetëm një grua e moshuar, e cila është kërcënuar dhe qëlluar me sende të forta, por pa rrezik për jetën, për të heshtur gjatë kryerjes së vjedhjes nga tre grabitësit.
Pas “sekuestrimit të mallrave me vlerë, tre grabitësit janë larguar nga shtëpia e së moshuarës, ndërsa më pas e moshuara ka lajmëruar të afërmit e saj për ngjarjen dhe më pas policinë. E moshuara ka deklaruar se 3 të rinjtë kanë qenë të maskuar dhe në dorë mbanin një levë dhe, pasi e kanë qëlluar me grushte, e kanë kërcënuar për të mos bërë asnjë zhurmë. Ekspertë të policisë kriminale kanë mundur të bien në gjurmët e hajdutëve dhe, pas një operacioni të organizuar, kanë mundur të kapin njërin prej tyre, ndërsa po punojnë për të vënë në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e tij. A.Bushi